Magyar Helsinki Bizottság k. Hungarisë

Objekti:                        Aksesi në informacion në lidhje me të dhënat për avokatët e caktuar nga shteti në procedimet penale

(Kliko këtu për të shkarkuar vendimin)

 

Aplikanti:                     Komiteti i Helsinkit, Hungari

Gjykata vendosi:         Shkelje të Nenit 10

 

Aplikanti është Komiteti i Helsinkit, një OJF në shtetin Hungarez, që po monitoronte mënyrën e caktimit të avokatëve kryesisht në procesin penal. Nga rezultatet paraprake të monitorimit u konstatua që komisariatet e policisë nuk caktonin avokatin kryesisht nga lista e vendosur në dipozicion nga Dhomat e Avokatisë, por në mënyrë të përsëritur avokatët që caktoheshin për të mbrojtur të pandehurin zgjidheshin nga skema e ofrimit të ndihmës ligjore falas. Me synimin për të mbledhur informacion zyrtar për këtë çështje, OJF-ja i drejtohet me një kërkesë për informacion 24 komisariateve policore, duke i kërkuar informacion për emrat e avokatëve të caktuar kryesisht, si dhe numrin se sa prej tyre ishin caktuar për të përfaqësuar të pandehurit e varfër, në bazë të skemës së ndihmës juridike. Edhe pse 22 komisariate i vendosën në dispozicion informacionin e kërkuar (në disa raste pas ankesave të suksesshme ligjore), 2 prej tyre nuk e dhanë informacionin me arsyetimin e mbrojtjes të të dhënave personale. Aplikanti kundërshtoi përgjigjiet refuzuese të komisariateve të policisë, duke e çuar çështjen deri në Gjykatën e Lartë, e cila nuk e pranoi kërkesën e aplikantit, duke u shprehur se: “Emrat dhe numrat e caktimit të avokatit mbrojtës përbëjnë të dhëna personale […] Departamentet përgjegjëse të policisë nuk mund të detyrohen të japin këto të dhëna personale.” Është interesant fakti, që edhe pse Gjykata e Lartë ka pranuar se avokatët e caktuar kryesisht kryejnë efektivisht një detyrë publike, ato nuk mund të konsiderohen si funksionarë publike, pasi puna e tyre (p.sh. garantimi i ndihmës juridike për të pandehurit e varfër), është private dhe për këtë arsye emrat e tyre apo numri i rasteve që përfaqësojnë / statistikat në lidhje me emërimet e tyre, nuk përbëjnë informacion zyrtar. Si rezultat i kësaj, kërkuesi nuk kishte të drejtë për ta marrë këtë informacion. Aplikanti parashtroi një kërkesë përpara GJEDNJ.

Duhet theksuarse ky nuk është aplikimi i parë që paraqitet para GJEDNJ për akses në të drejtën e informimit, ose më saktë aplikimi i parë kundër Hungarisë – dy vendime të rëndësishme në lidhje me të drejtën e informimit janë marrë kundër Hungarisë. OJF-ja aplikante duhet të ketë qenë shumë e befasuar kur është informuar se Dhoma që po gjykonte çështjen, vendosi të kalojë çështjen në juridiksionin e Dhomës së Madhe. Kjo procedurë ndodh vetëm në rrethana të jashtëzakonshme dhe zakonisht kur GJEDNJ-ja vendos që të ndryshojë jurisprudencën e saj, ose të vendosë një kurs të ri jurisprudencial.

Eshtë interesant fakti, që qeveria e Mbretërisë së Bashkuar vendosi të ndërhyjë në procedurat para Dhomës së Madhe, duke paraqitur një ndërhyrje si palë e tretë. Në parashtrimet e paraqitura, Qeveria mbajti anën e palës së paditur, shtetit Hungarez, duke kontestuar fuqimisht pretendimet e pales kërkuese, që neni  10 i Konventës parashikon dhe të drejtën e aksesit në informacionin e dokumentave zyrtarë. Të dy qeveritë, ajo Hungareze dhe Mbretëria e Bashkuar, cituan një seri vendimesh të GJEDNJ, të marra në vitin 1980, në të cilat Gjykata (në atë kohë) hodhi poshtë argumentin se neni 10 garantonte të drejtën e informimit dhe GJEDNJ nuk mund të angazhohet në atë që konsiderohet “ligjvënës gjyqësor”, përkatësisht duke lexuar një të drejtë në Konventë që nuk është parashikuar nga hartuesit e saj.

Pas një analize shumë të gjatë, GJEDNJ-ja në fund u shpreh se e drejta për të kërkuar informacion garantohet sipas nenit 10, megjithatë sipas disa kushteve: Së pari, paditësi duhet të kërkojë dhënien e informacioneve në mënyrë që të kontribuojë në një debat publik. Së dyti, informacioni i kërkuar duhet të jetë i një natyre të interesit publik. Së treti, identiteti i personit që kërkon informacion ai / ajo kryen një funksion “social watchdog – rojtar social” (p.sh. nëse ai /ajo është një gazetar, OJF, apo një studiues akademik) duhet gjithashtu të merret parasysh, dhe së katërti, informacioni kërkuar duhet të ekzistojë dhe të mbahet nga autoritetet publike. Duke i aplikuar këto kushte në çështjen konkrete, GJEDNJ-ja vuri në dukje se OJF –ja aplikuese ka kërkuar informacion që ishte i nevojshme për përfundimin e anketës në lidhje me funksionimin e skemës së avokatëve të caktuar kryesisht, një çështje e cila kishte “dukshëm” një interes publik (efektiviteti i skemës). Për më tepër, ankuesi ishte një OJF që kryen veprimtari monitoruese, ndërsa informacioni i kërkuar ishte “i gatshëm dhe në dispozicion” të autoriteteve. Të katër kriteret janë përmbushur, pra, refuzimi i autoriteteve për t’i dhënë aplikantit informacionin e kërkuar ishte në shkelje të nenit 10.

Çfarë ndodh në qoftë se një qytetar i thjeshtë (por shumë kurioz) kërkon informacion, që në të vërtetë nuk mund të kontribuojë në debatin publik? Megjithëse kjo pyetje është e zgjidhur nga legjislacioni shqiptar dhe qyetarët në Shqipëri nuk kanë asnjë arsye pse të shqetësohen dhe se kjo pyetje vlen për vendet që nuk kanë një ligj të posaçëm për të drejtën e informimit, një interpretim i ngushtë për zbatimin e katër kushteve të përmendura më sipër, parashikon që autoriteti publik ka të drejtë (sipas Nenit 10) të refuzojë të drejtën e aksesit në informacion. Prandaj do të jetë interesante për të parë se si GJEDNJ do të interpretojë dhe zbatojë këto kritere në të ardhmen. Mjaft interesante, në vendimin e saj GJEDNJ-ja tashmë tërthorazi ka pranuar, se do të miratojë një qasje më liberale për aplikimin e këtyre kritereve në të ardhmen; kështu Gjykata u shpreh se blogerët dhe përdoruesit e mediave sociale mund të konsiderohen si “rojtarë socialë” për qëllimet e testit.

image_pdfimage_print
Facebooktwittergoogle_plusredditpinterestlinkedinmail



Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *