KOMENTE MBI PROJEKTLIGJIN PER NDIHMEN JURIDKIE

  1. Komente të përgjithshme

Tashmë ka rezultuar se ofrimi i ndihmës juridike në Shqipëri është në nivele të papranueshme, megjithëse përpara 5 vjetësh kjo ishte një risi në legjislacionin shqiptar. Shumë aspekte kanë rezultuar problematike në praktikë, sic është vënë re nga studime të ndryshme të bëra nga organizatat e shoqërisë civile. Një rishikim i plotë i kuadrit ligjor për ofrimin e ndihmës juridike falas është mëse i domosdoshëm, pa nënvleftësuar aspektin financiar që shoqëron aspektin ligjor.

Ne besojmë se projektligji “Për ndihmën juridike”, përbën një mundësi unike për të përfshirë në legjislacionin e brendshëm zhvillimet e fundit në këtë fushë, siç është  Rezoluta e Asamblesë së Përgjithshme (GA) miratuar më 20 Dhjetor 2012 (A/RES/67/187)[1].

Rezoluta e përkufizon ndihmën ligjore si:

“…këshillim ligjor, ndihmë dhe përfaqësim për personat e ndaluar, arrestuar apo të burgosur, të dyshuar apo akuzuar, ose i akuzuar për vepër penale dhe për viktimat dhe dëshmitarët në procesin e drejtësisë penale që jepet pa kosto, për ata që nuk kanë mjete të mjaftueshme ose kur e kërkon interesi i drejtësisë. Për më tepër, “ndihma ligjore” ka për qëllim të përfshijë konceptet e edukimit ligjor, aksesin në aktet ligjore dhe shërbimet e tjera të ofruara për personat nëpërmjet mekanizmave alternativë për zgjidhjen e konflikteve dhe procesit të drejtësisë restauruese.”[2]

Me fjalë të tjera, nocioni i ndihmës ligjore në bazë të Rezolutës së OKB-së është shumë më i gjerë dhe gjithëpërfshirës, se sa thjesht e drejta formale për t’u mbrojtur me një avokat.

Rezoluta përmban një listë shumë të detajuar të parimeve, duke trajtuar një gamë të larmishme të çështjeve të tilla si nevoja për të zbatuar masa të veçanta në mënyrë që të ofrohet një ndihmë juridike efektive për grupet vulnerabël (të tilla si gratë, fëmijët dhe personat me HIV) ose ofrimin e ndihmës juridike për viktimat e krimeve.

Res Publica konsideron se shumica, nëse jo të gjitha udhëzimet dhe parimet e përcaktuara në Rezolutë, duhet të trupëzohen në rendin juridik shqiptar. Ne mendojmë se Udhëzimet e mëposhtme janë veçanërisht të rëndësishme në kontekstin shqiptar, dhe konkretisht:

Udhëzimi nr. 11 – Sistemi mbarëkombëtar i ndihmës juridike: Shtetet duhet të ngrenë një sistem të integruar të ndihmës juridike, duke përmbushur nevojat e fëmijëve dhe grupeve të veçanta të tilla si njerëzit me aftësi të kufizuara, që jetojnë me HIV, personat pa shtetësi etj., ofruesit e ndihmës juridike duhet të trajnohen dhe atyre që punojnë me fëmijët duhet të marrin trajnim të specializuar dhe ndërdisiplinor mbi të drejtat dhe nevojat e fëmijëve. Duhet të ngrihet një organ për të administruar, koordinuar dhe monitoruar shërbimet e ndihmës juridike.

Udhëzimi nr. 14 – Shtetet duhet të njohin se kanë një rol të rëndësishëm në sigurimin e ndihmës juridike. Për këtë qëllim, shtetet duhet të parashikojnë standarde të trajnimit dhe akreditimit të skemës së ndihmës ligjore, si dhe mbikëqyrjen e trajnimit të tyre dhe punën e përditshme nga ana e avokatëve të kualifikuar. Cilësia e shërbimeve të tyre duhet të monitorohet rregullisht dhe të krijohet një sistem vlerësimi.

Udhëzimi nr. 15 – Rregullimi dhe mbikëqyrja e ofruesve të ndihmës juridike: shtetet duhet të vendosin kritere për përzgjedhjen e ofruesve të ndihmës juridike, në mënyrë që të sigurohet se ata janë subjekte të Kodeve të sjelljes profesionale dhe instituteve të ankesave efektive dhe të ngrihen mekanizma të mbikëqyrjes, me qëllim parandalimin e korrupsionit.

Udhëzimi nr. 16 – Duhet të përcaktohen standardet e cilësisë, si dhe të sigurohet dhe promovohet aksesi në ndihmën juridike në të gjithë vendin dhe për të gjitha komunitetet. Studentët e ligjit duhet të inkurajohen që të marrin pjesë në klinikat e ndihmës juridike apo skemave të komunitetit.

Udhëzimi nr. 17 – Kërkimi dhe të dhënat: Shtetet duhet të kryejnë kërkime dhe mbledhje të të dhënave në lidhje me sistemin e ndihmës juridike, duhet të shkëmbejnë praktikat më të mira dhe duhet të përmirësojnë koordinimin midis institucioneve të drejtësisë.

 

 

  1. Përmbledhje ekzekutive të komenteve të posacme

Në kushtet kur drafti i paraqitur duket të jetë ende në proces hartimi vlerësojmë se do të ishte me vend një riformulim i tij, duke pasur parasysh cështjet si më poshtë:

  1. Së pari është e rëndësishme të përfshihet në projekt draft përkufizime të disa koncepteve të hasura gjatë projekt draftit
  2. Së dyti, është e domosdoshme të ndahet dhe qratësohet dhënia e ndihmës juridike parësore dhe dytësore, të cilat kurrsesi nuk mund të jenë objekt shqyrtimi dhe vendimarrje e gjykatës. Sic do ta shtjellojmë në vazhdim sugjerimi ynë është që ndihma juridike parësore të jetë kopetencë e administratës gjyqësore (një structure të posaçme të ngritur për këtë qëllim) dhe vetëm ndihma juridike dytësore të jetë kopetencë e gjykatës. ( ku me termin gjykatë kuptojmë trupën gjyqësore si pushtet i pavarur i shtetit dhe jo edhe administratën gjyqësore).
  3. Së treti, lidhur me shpërblimin e avokatëve sugjerojmë me theks të veçantë rillogaritjen e tij duke pasur parasysh që shpërblimi i ofruar në këtë draft është simbolik dhe duke qenë të ndërgjegjshëm se ky shpërblim jo domosdoshmërisht duhet ti përgjigjet vlerave të tregut. Vlerësimi i këtij shpërblimi duhet gjithsesi të jetë një kompromis mes një shpërblimi simbolik dhe vlerës së tregut, që gjithsesi duhet të unifikohet edhe me shpërblimin e avokatëve kryesisht në cështjet penale.
  4. Së katërti, gjatë gjithë draftit nevojitet të unifikohet dhe të bëhet kujdes me gjuhën shqipe dhe terminologjinë juridike të përdorur, në respekt të rregullave të teknikës legjislative, si për shembull:
  • paragrafi dytë i nenit ku fillon: ”Ky rregullon …” duhet shtuar fjala “ligj” pra fjalia të jetë: ”ky ligj rregullon….”; termi i përdorur në vijimësi të nenit 1 “paragjykimor” mund të zëvendësohet me termin “këshillimi përpara procesit gjyqësor”. Ky term është përdorur ku bëhet fjalë për ndihmën juridike parësore. Edhe termi “ndihma juridike primare” mund të zëvendësohet me termin “ndihma juridike parësore”. Duhet të ketë një unifikim termash sepse termi “ndihme juridike parësore” e hasim të përdorur në nenin 23 të këtij projekti;
  • Në nenin 2 sugjeroj që gjuha e përdorur në pikat “c”, “ç”, “d” dhe “e” të këtij neni rregullohet nga pikëpamja gjuhësore. Të mbahet një standart shprehje si në pikat e para të këtij neni, pikat “a” dhe “b”. Sugjerojmë të ndërthuret shprehja gjuhesore me teknikën legjislative duke eleminuar lidhësen “e” që është përdorur në to dhe të unifikohen sipas pikave “a” dhe “b”.
  • Në nenin 7, pikat “a” dhe “b” duhet të përmirësohet gjuha e përdorur në lidhje me detyrat dhe Dhomës së Avokatisë në këtë proces. Dhoma e Avokatisë nuk është një individ që të marrë pjesë, por përmes mekanizmave të vet Dhoma e Avokatisë kontribuon ose jep ndihmesë në përcaktimin e kritereve për përzgjdhjen e avokatëve. Kështu sugjerojmë që pikat “a” dhe “b” të korrigjohen nga ana gjuhësore.
  • Në nenin 8 ështe nevojshme të unifikohet termat e përdoruar për njësinë juridike që do të drejtojë pune për Ndihmën Juridike. Kështu në titullin e nenin citohet “Drejtoria për Ndihmën Juridike”. Edhe në pikat 1, 2, 3, 4 kjo njësi referohet si “Drejtoria për Ndihmën Juridike”. Ndërkohë që pika 5 e këtij neni citon “Departamenti Ndihmës Juridike”. Edhe në nenin 19 të këtij projekligji që bën fjalë për bashkëpunimin e përfituesve të ndihmës juridike dhe institucioneve shtetërore me gjykatat dhe Drejtorinë e Ndihmës Juridike kjo njësi referohet si drejtoria e ndihmës juridike. Sugjerojmë që gjatë gjithë neneve ku referohet kjo njësi këto referime të kenë të njëjtin emërtim ose drejtori ose departament.
  • Në nenin 18, pika 2 bëhet fjalë për rishikimin e kërkesës për përjashtimin nga pagimi i taksës mbi aktet. Në kuptim të nenit Neni 494 Kodi Procedurës Civile “Kërkesa për rishikim dhe rastet e rishikimit”[3], përmes rishikimit si një mjet ankimi ndaj një vendimi të formës së prerë në kushtet që parashikon ligji, kërkohet të rishikohet një vendim gjyqësor i formës së prerë. Ndërkohë që në këtë rast jemi përpara shqyrtimit të një kërkese për sipas nenit Neni 158/a Kodi Procedurës Civile “Veprimet përgatitore”[4] duhet që kërkesa që paraqitet për shqyrtim duhet të shqyrtohet nga gjyqata nëse i plotëson kushte dhe ose pranohet ose jo. Sugjerojmë që termi “rishikim i kërkesës” të zëvendësohet me “shqyrtim të kërkesës”.Gjithashtu në përfundim të këtij neni parashikohet që nëse gjykata konstaton se gjendja ekonomike e personit është e tillë që e pamundëson pagimin e taksës mbi aktet, gjykata mund të vendosë që pagimi i taksës mbi aktet të bëhet në një kohë të mëvonëshme ose me këste. Sugjerojmë që koncepti “në një kohë të mëvonshme” të mos jetë kaq i papërcaktuar, por të parashikojë një periudhë kohore ose të parashikojë plotësimin e ndonjë kushti që do të bëjë të mundur pagimin e taksës mbi aktet.
  1. Së pesti, lidhur me dispozitat kalimtare nuk është parashikuar se si do të zgjidhet situata e kontratave të lidhura mes Komisionit të Ndihmës Juridike dhe avokatëve në fuqi në momentin e miratimit të ligjit.

Gjithashtu dhënia e kopetencave për kryerjen e këtij shërbimi, Noterëve është i pastudiuar për shkak se nuk ëhstë në natyrën e punës së këtyre të fundit ofrimi i këtij shërbimi.

 

  • Komente të posaçme

Konkretisht shprehim mendimin se në draft duhet të rishikohen pikat e mëposhtme:

Neni 1 – Objekti i Ligjit

Në nenin 1, ku përcaktohet objekti i ligjit, mendojmë që duhet të përfshihet dhe përjashtimi nga taksat, si një element i rëndësishëm, pasi në këtë nen përfshihen dhe përjashtimi nga detyrimi për të paguar tërësisht ose pjesërisht shpenzimet e gjykimit ose shërbimeve të tjera në gjykata, por nuk specifikohet qartë që pjesë e këtyre shpenzimeve janë edhe tarifat gjyqësore, të cilat kanë një karakter të vecantë pasi rregullohen me ligjin për taksat kombëtare. Rekomandojmë që të qartësohet në këtë nen se përfshihet edhe përjashtimi nga detyrimi për të paguar pjesërisht ose tërësisht i tarifave/taksave gjyqësore.

Neni 3 – Përshtatshmëria për Ndihmë Juridike

Titulli i kësaj dispozite duhet të përshtatet, duke iu përshtatur teknikës legjislative të këtij ligji. Rekomandojmë që titulli të bëhet “Kriteret e ofrimit të ndihmës juridike”.

Në pikën (1) të përfshihet edhe përjashtimi nga tarifa gjyqësore, si një nga rastet kur shteti ofron ndihmën juridike.

Paragrafët 1, 2, 3, 4 janë të paqartë dhe duhet të riformulohen pasi lënë vend për diskutim. Një nga pikat problematike është ajo më numër 4, ku parashikohet:

nëse ka mundësi që çështja të fitohet, nëse deklarimi i fakteve prezumohet korrekt, për këtë ofrohet prova.

Jemi dakord me faktin që të shmangen mundësitë për abuzim në ofrimin e ndihmës juridike, por duhet të përcaktohet në mënyrë të qartë, pasi me dispozitën e mësipërme nuk kuptohet cili është standardi i të provuarit, kush do ta vlerësojë çështjen, si do realizohet etj.

Shprehim mendimin që paragrafi i mësipërm të riformulohet:

Për çështjet ligjore që janë haptazi të pabazuar në ligj dhe në prova, nuk mund të  ofrohet ndihmë ligjore.

Në lidhje me paragrafin e dytë, ku përkufizohet “kërkesat dashakeqe”, shprehim mendimin që përkufizimet e termave të ndryshme të këtij ligji të përfshihen në një dispozitë të veçantë.

Neni 4 – Administrimi

Në nenin 4 përcaktohet se shërbimi i ndihmës juridike është përgjegjësi e gjykatave, Ministrisë së Drejtësisë dhe Dhomës Kombëtare të Avokatëve. Mendojmë se paraprakisht ky shërbim është përgjegjësi e shtetit në përgjithësi dhe se administrimi i takon organeve të sipërpërmendura. Pavarësisht se administrate gjyqësore është në varësi të Ministrisë së Drejtësisë, mendojmë se ajo duhet të specifikohet si pjesë e vecantë e skemës së dhënies së shërbimit, përsa i takon shërbimit të ofrimit të ndihmës parësore.

Neni 5 – Detyrat e gjykatave

Në pikën (1), duhet të riformulohen shprehjet Gjykatat shqyrtojnë kërkesat për ndihmë juridike dhe vendosin nëse janë të mbështetura në masën e duhur për të dhënë ndihmë juridike në pajtim me Nenin 2/1.

Së pari, mendojmë se natyra e pushtetit gjyqësor është e tillë që merr vendime në mënyrë të paanshme. Nuk mund të jetë në natyrën funksioneve të pushtetit gjyqësor dhënia e ndihmës juridike parësore, pasi kështu cenohet paanshmëria e gjykatës.

Së dyti, formulimi duhet të ndryshohet edhe përsa i përket kritereve, pasi përcaktimi i “masës së duhur” është pjesë e analizës së proporcionalitetit që bën gjykata, bazuar në kriteret e ligjit ose akteve nënligjore. Mendojmë që dispozita duhet të riformulohet si më poshtë:

Gjykatat shqyrtojnë kërkesat për ndihmë juridike dytësore dhe vendosin nëse përmbushin kriteret e parashikuara në lig dhe aktet nënligjore”

Sipas kësaj dispozite gjykata ka të drejtën për të nxjerrë një vërtetim. Ky parashikim nuk përputhet me dispozitat e përgjithshme ligjore, ku gjykatat kanë të drejtë të marrin vetëm vendime në mënyrë të paanshme.

Për këtë arsye mendojmë që dispozita duhet të riformulohet sa më poshtë:

“Gjykata nëse e gjen kërkesën të bazuar në ligj dhe në prova, vendos pranimin e kërkesës, duke specifikuar llojin e ndihmës juridike parësore ose dytësore”

Pika (2) është e tepërt, pasi gjykatën kompetente e përcaktojnë kodet e procedurës.

Gjithashtu, një element i paqartë në këtë pikë është edhe hartimi i kërkesës që do ti drejtohet gjykatës. Në paragrafin (3) parashikohet se gjykatat janë të detyruara të ndihmojnë kërkuesin me këshillim. Me termin gjykatë kuptohet trupa gjyqësore dhe jo administrate gjyqësore. Detyra e këshillimit duhet të jetë e Sekretariatit, sipas sugjerimeve të dhëna më sipër te Komentet e Përgjithshme.

Neni 7 – Detyrat e Dhomës Kombëtare të Avokatisë

Pika b) duhet të plotësohet duke shtuar si detyrë edhe vlerësimin e cilësisë së shërbimit, në bashkëpunim me Ministrinë e Drejtësisë.

Neni 9 – Fuqia detyruese e vendimeve gjyqësore

Formulimi i këtij neni duhet të jetë pjesë e nenit 5, ose menjëherë pas tij.

Neni 10 Detyrat e Drejtorisë për Ndihmën Juridike

Në lidhje me këtë nen, mendojmë që duhet të riformulohet dhe përshtatet me ndryshimet ligjore, si dhe të unifikohet terminologjia ligjore.

Neni 11 – Ndihma Juridike dhe llojet e saj

Në lidhje me këtë nen, mendojmë që duhet të riformulohet dhe përshtatet me ndryshimet ligjore, si dhe të unifikohet terminologjia ligjore.

Duhet të shfuqizohet pragrafi ku parashikohet ofrimi i ndihmës ligjore në proceset penale, pasi ndihma juridike e ofruar nga ky ligj është për proceset civile dhe administrative. (neni 1 gjithashtu)

Shprehim mendimin, se në lidhje me paragrafin ku parashikohet dhënia e Informacionit Ligjor, të hiqet, pasi ky lloj shërbimi nuk shoqërohet me efekte financiare si pasojë e këtij ligji.

Neni 13 – Format e dhënies së Ndihmës Juridike

Në nenin 13 parashikohen llojet e ndihmës juridike. Konsatojmë që përjashtimi nga shpenzimet dhe taksat gjyqësore nuk parshikohen në këtë nen. Shprehim mendimin që ky lloj i ndihmës juridike duhet të klasifikohet si lloj i vecantë, edhe në rastet kur individit i ofrohet ndihmë ligjore falas nga avokatët ose organizatat e shoqërisë civile.

Neni 14 – Kriteret për përfitimin e ndihmës juridike

Në lidhje me këtë nen, mendojmë që duhet të riformulohet dhe përshtatet me ndryshimet ligjore, si dhe të unifikohet terminologjia ligjore.

Duhet të hiqet pragrafi a), pika 2 ku parashikohet ofrimi i ndihmës ligjore në proceset penale, pasi ndihma juridike e ofruar nga ky ligj është për proceset civile dhe administrative.

Duhet të riformulohet pika 4, pasi me hyrjen në fuqi të këtij ligji, Komisioni Shtetëror për Ndihmën Juridike do suprimohet.

Neni 15 – Kthimi i shpenzimeve për ndihmën juridike të dhënë

Në lidhje me këtë nen, mendojmë që duhet të riformulohet dhe përshtatet me ndryshimet ligjore, si dhe të unifikohet terminologjia ligjore.

Neni 16 – Ofrimi i Ndihmës Juridike

Duhet të shfuqizohet pika 2 ku parashikohet ofrimi i ndihmës ligjore në proceset penale

Neni 17Paraqitja e kërkesës dhe dokumentacionit për përfitimin e ndihmës juridike

Në lidhje me këtë nen, mendojmë që duhet të riformulohet tërësisht, duke shmangur shprehjet e tepërta lidhur me kompetencën, etj. Ky nen duhet përshtatet me ndryshimet ligjore, si dhe të unifikohet terminologjia ligjore.

Në këtë nen konstatohen disa probleme, në lidhje me formën e kërkesës, delegimin e vendimit, mbulimin e kostove të prokurës, kush do të hartojë kërkesën etj. Ky nen kërkon një riformulim të plotë dhe më pas të shtrohet përsëri në diskutim.

Neni 19 – Bashkëpunimi i përfituesve të ndihmës juridike dhe institucioneve shtetërore me gjykatat dhe Drejtorine e Ndihmes Juridike.

Në pikën 1 të këtij neni parashikohet sanksioni nëse personi që përfiton ndihmën juridike ka detyrim të jap informacion dhe të sigurojë në kohë çdo informacion për drejtorinë e ndihmes juridike. Në vijim pika 2 e nenit parashikon që në rast mozbatimi të pikës 1 të nenit personi përfitues i ndihmës juridke e humbet atë.

Sugjeroj që të konsiderohet si kusht që në rastet e mosplotësimit të pikës 1 të nenit personi përfitues mund të jetë në kushtet e pamundësisë reale për të siguruar inforacionin përkatës. Rrjedhimisht në pamundësi duke mos siguruar këtë informacion humbet ndihmën juridike edhe pse nuk është për fajin e tij. Kjo pikë mund të saktësohet në kushte kur pamundësia reale mund ta pengojë përsonin përfitues të sigurojë informacionin e kërkuar nga drejtoria e ndihmes juridike.

Neni 20 – Refuzimi i dhënies së ndihmës juridike

Në lidhje me këtë nen, mendojmë që duhet të riformulohet dhe përshtatet me ndryshimet ligjore, si dhe të unifikohet terminologjia ligjore.

Këtu duhet të merren para sysh disa aspekte:

Së pari, duhet të përcaktohet një afati brenda të cilit duhet të shqyrtohet vendimi i ankimuar.

Së dyti, afati i ankimit duhet të zgjatet (për shembull 30 ditë) sepse individit të cilit i është refuzuar e drejta për ndihmë ligjore do ti duhet të organizohet vetë për të bërë ankimin në gjykatë, duke siguruar avokat falas, ose nga organizatat e shoqërisë civile.

Neni 21 – Vendimi i refuzimit të dhënies së ndihmës juridike

Pika 2 dhe 3 kanë të njëjtin parashikim, për këtë arsye mendojmë që këto pika të shkrihen.

Neni 22 – Avokatët që japin ndihmë juridike

Në lidhje me këtë nen, mendojmë që duhet të riformulohet dhe përshtatet me ndryshimet ligjore, si dhe të unifikohet terminologjia ligjore

Duhet të hiqen fjalet “Komisioni Shtetëror për Ndihmën Juridike”, pasi me hyrjen në fuqi të projektligjit ai suprimohet.

Gjithashtu në pikën 2 është parashikuar përzgjedhja e avokatëve që do ofrojnë ndihmën juridike. Shprehja “nëse është e nevojshme” duhet të hiqet pasi përzgjedhja e avokatëve duhet ti nënshtrohet konkursit dhe plotësimit të kritereve.

Neni 23 – Shpërblimi i Avokatëve për Ndihmën Juridike

Rekomandojmë që tarifa e vendosur në këtë dispozitë, e cila është sa 50%  tarifës së përgjithshme gjyqësore krijon pabarazi, diskriminim dhe si rrjedhojë dhe një ulje të profesionalizmit në ofrimin e ndihmës juridike.  (Bazuar në ligjin për tarifat gjyqësore, tarifa e përgjithshme është 3000 lekë, dhe avokati do ofrojë shërbimin sipas projektligjit me 1500 lekë)

Gjithashtu shprehim mendimin që në ligj duhet të merret parasysh edhe efekti i tatimit mbi vlerën e shtuar (TVSH) për avokatët që ofrojnë ndihmë ligjore.

Së dyti, në këtë nen parashikohet tarifa minimale e ­çdo avokati për çdo lloj ndihme juridike parësore ose dytësore është 50 Euro. Ligji Nr.8269, Datë 23.12.1997 “Për Bankën e Shqipërisë”[5] saksionon se monedha vendase në Shqipëri është Leku (ALL).

Kështu duke qënë se transaksioni që do të kryhet është nga një institucion buxhetor i adminsiratës qëndrore shqiptare siç është Ministria e Drejtësisë, sugjeroj që tarifa si ajo minimale dhe çdo tarifë tjetër që do të parashikohet për punën e avokatit për çdo lloj ndihme juridike parësore apo dytësore të shprehet në monedhën zyrtare shqiptare pra në Lek dhe jo në Euro apo monedha të tjera që nuk janë zyrtare në Shqipëri.

Neni 24 – Kontrolli i cilësisë së ndihmës juridike

Pika 2 duhet të hiqet, pasi “Komisioni Shtetëror për Ndihmën Juridike” me hyrjen në fuqi të projektligjit do të suprimohet ose të riformulohet paragrafi, si më poshtë:

Forma dhe standardet e kontrollit miratohen nga Ministria e Drejtësisë.

Neni 26 – Nxjerrja e akteve nënligjore

Përveç Këshillit të Ministrave, duhet të parashikohen dhe institucione të tjera, të cilat sipas dispozitave të këtij ligji kanë detyrimin për të nxjerrë akte nënligjore në zbatim të ligjit si: Ministria e Drejtësisë dhe Ministria e Financave.

Neni 27 – Dispozita kalimtare

Në lidhje me këtë dispozitë, Res Publica nuk është dakort me dhënien e kompetencës noterëve për ofrimin e ndihmës juridike. Mendojmë, se deri në hyrjen në fuqi të këtij projektligji, të zbatohet ligji ekzistues.

Gjithashtu duhet të merret para sysh fakti që Komisioni Shtetëror i Ndihmës Juridike ka lidhur kontrata me shumë avokatë deri më sot, kontrata të cilat do të vazhdojnë edhe në momentin e hyrjes në fuqi në ligjit të ri, i cili duhet të parashikojë rregullimin e tyre në dispozitat kalimtare.

 

*    *    *

 

[1]Resoluta gjendet në http://ëëë.un.org/en/ga/search/vieë_doc.asp?symbol=A/RES/67/187 A comprehensive manual on the Principles and Standards, entitled Early açess to legal aid in criminal justice processes: a handbook for policymakers and practitioners is available at http://ëëë.unodc.org/documents/justice-and-prison-reform/eBook-early_açess_to_legal_aid.pdf

[2]Shih paragrafin 8 (ne preambulë)

[3] (Ndryshuar titulli me ligjin nr.8812, datë 17.5.2001, neni 99; shtuar paragrafi I me ligjin nr.8812, datë 17.5.2001, neni 99; shtuar shkronja “ë” me ligjin nr.10 052, datë 29.12.2008, neni 13) Kërkesa për rishikim është akti me të cilin kërkohet rishikimi i një vendimi të formës së prerë të gjykatës. Pala e interesuar mund të kërkojë rishikimin e një vendimi që ka marrë formë të prerë, kur: a) zbulohen rrethana të reja apo prova të reja me shkresë që kanë rëndësi për çështjen, të cilat nuk mund të diheshin nga pala gjatë shqyrtimit të saj; b) vërtetohet se thëniet e dëshmitarëve apo mendimet e ekspertëve, mbi të cilat është bazuar vendimi, kanë qenë të rreme; c) palët ose përfaqësuesit e tyre apo ndonjë anëtar i trupit gjykues, që ka marrë pjesë në gjykimin e çështjes, kanë kryer vepra të dënueshme penalisht, të cilat kanë ndikuar në dhënien e vendimit; ç) vërtetohet se vendimi i dhënë është bazuar në dokumente të falsifikuara; d) vendimi është bazuar në një vendim të gjykatës ose të një institucioni tjetër që më pas është prishur; e) vendimi është në kundërshtim të hapur me një vendim tjetër të formës së prerë të dhënë midis po atyre palëve, për të njëjtin objekt dhe për të njëjtin shkak.

[4] (Shtuar me ligjin nr.8812, datë 17.5.2001, neni 39; ndryshuar paragrafi i parë, shfuqizuar paragrafi i katërt me ligjin nr.10 052, datë 29.12.2008, neni 8) Gjyqtari cakton, për çdo çështje, seancën përgatitore, ku thirren palët ose personi i tretë, për të përcaktuar natyrën e mosmarrëveshjes dhe kërkon prej tyre shpjegimet e nevojshme, si dhe përcaktimin e provave për vërtetimin e pretendimeve e të prapësimeve të tyre. Gjyqtari, me vendim, kryen këto veprime: Kërkon nga paditësi që kërkesëpadia të plotësohet me të gjitha elementet e nevojshme të përcaktuara nga nenet 154 dhe 156 të këtij Kodi. Vendos për përjashtimin e paditësit nga pagimi i taksës mbi aktet, në rastet e përcaktuara nga ligji. Vendos se cilët dëshmitarë do të thirren në seancë gjyqësore dhe kërkon nga i padituri ose persona të tjerë akte që ndodhen pranë tyre. Kur është rasti, vendos për vënien e sekuestros ose për marrjen e ndonjë mase tjetër për sigurimin e padisë. Kur është rasti, vendos për sigurimin e provave. Vendos për pezullimin e gjykimit, kur janë rastet e përcaktuara nga neni 297 i këtij Kodi. Vendos për pushimin e gjykimit kur janë rastet e përcaktuara nga shkronjat “b” dhe “c” të nenit 299 të këtij Kodi. Vendos për bashkimin e padive në një gjykim të vetëm kur janë rastet e përcaktuara në këtë Kod. Vendos për moskompetencën e gjykatës kur çmon se çështja hyn në kompetencën e një gjykate tjetër dhe i dërgon asaj kërkesëpadinë së bashku me aktet e paraqitura. Kundër vendimit të gjyqtarit të vetëm, me të cilin vendoset pezullimi, pushimi dhe moskompetenca e gjykatës, mund të bëhet ankim i veçantë.

[5]Ligji Nr.8269 Datë 23.12.1997 “Për Bankën e Shqipërisë” Neni 33 pika 1 “Emetimi Monedhës”, Njësia monetare në Republikën e Shqipërisë është “Lek-u” .

image_pdfimage_print
Facebooktwittergoogle_plusredditpinterestlinkedinmail



Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *